Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së organizon trajnime të përbashkëta për qeverisjen mjedisore për inspektorë, policë dhe prokurorë në Shqipëri
Publishing date: 13 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Mirëqeverisja, Policimi, Sundimi i ligjit
Nga data 11 deri më 13 mars 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnoi mbi 40 oficerë policie, prokurorë, inspektorë dhe ekspertë të mjedisit lidhur me identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore. Pjesëmarrësit, që vinin nga qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, mësuan përmes studimit të rasteve, ushtrimeve simuluese dhe punës në grupe, që kishin për qëllim forcimin e karakterit ndërinstitucional të çështjeve mjedisore. Mbështetur në ekspertizën e tre trajnuesve, dy të huaj dhe një vendas, pjesëmarrësit u njohën me risitë më fundit se si të adresojnë në mënyrë efektive sfidat mjedisore dhe si t’i hetojnë ato duke përdorur praktikat më të mira në rajon. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe mirëkuptim të ndërsjellë të roleve në nivel vendor në trajtimin e sfidave mjedisore. Inspektorët e mjedisit thanë se ndarja e paqartë ligjore mes institucioneve të ndryshme pengon punën e tyre gjatë inspektimeve në terren. “Prezenca ka promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të trajtuar kundërvajtjet dhe krimet mjedisore përmes përpjekjeve të ndryshme që përfshijnë inspektorët mjedisorë, policinë dhe prokurorinë. Qëllimi përfundimtar është që pjesëmarrësit të kultivojnë një kulturë bashkëpunimi, ekspertize të përbashkët dhe angazhimi proaktiv për t’u orientuar në kompleksitetin e inspektimit, identifikimit, parandalimit dhe ndjekjes penale të këtyre krimeve”, tha Elton Qëndro, oficer programi dhe menaxher projekti në Prezencën e OSBE-së. Trajnimet u mbështetën te vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore, si edhe te vlerësimi i nevojave për trajnim për qeverisjen mjedisore, të dy të zhvilluar me nismën e Prezencës. Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.
Prezenca e OSBE-së përfundon projektin trevjeçar për forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e transparencës së sistemit të prokurimit publik në Shqipëri
Publishing date: 5 tetor 2023
Forcimi i kapaciteteve, rritja e transparencës dhe promovimi i qeverisjes së mirë në prokurimet publike në Shqipëri ishte qëllimi i një projekti që Prezenca e OSBE-së zbatoi nga 1 shtatori 2020 deri më 30 shtator 2023. Projekti trevjeçar u financua nga qeveritë e Italisë, Francës dhe Sllovakisë. Në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Prezenca mbështeti hartimin e një kurrikule të re gjithëpërfshirëse me shumë module për prokurimin publik. Dokumenti trajton kuadrin legjislativ dhe aspekte të ndryshme të procedurave të prokurimit publik, me një fokus të shtuar në integritetin dhe mjetet e menaxhimit të riskut, të cilat janë thelbësore për një përdorim të efektshëm të fondeve publike. Si pjesë e projektit, 19 ekspertë morën pjesë në një program intensiv 10-ditor të trajnimit të trajnerëve për zhvillimin e kapaciteteve. Ata tashmë janë pjesë e grupit të trajnerëve të ASPA-s, që do të ofrojnë trajnime të vazhdueshme për rreth 2 000 zyrtarë të prokurimeve publike në të gjithë vendin. Trajnimi i parë, për 120 zyrtarë të prokurimit publik, u pilotua nga qershori deri në shtator 2023. Prezenca bashkëpunoi edhe me Shkollën e Qeverisjes Hertie në Berlin dhe Institutin Shqiptar të Shkencës për të mundësuar diskutimet teknike dhe kërkimin e pavarur për të identifikuar rreziqet dhe për të parandaluar korrupsionin në sektorë specifikë të prokurimeve publike, duke ofruar rekomandime përkatëse për palët e interesuara për të përmirësuar kuadrin operacional dhe atë të politikave. Gjithashtu, me përfshirjen aktive të shoqërisë civile, projekti u fokusua në rritjen e ndërgjegjësimit për prokurimin transparent dhe nevojën për masa efektive kundër korrupsionit. Kjo u bë përmes forumeve të ndryshme, të cilat promovuan idenë e transparencës së të dhënave, si një gur themeli për mbikëqyrjen e pavarur. Projekti përfundoi në shtator 2023 me një takim konsultativ me palët kryesore të interesit dhe përfituesit. Pjesëmarrësit diskutuan për mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të projektit dhe për sugjerime e rekomandime konkrete për institucionet se si të mbështesin rezultatet e projektit. Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar të mbështesë institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile me asistencë teknike dhe ekspertizë për të çuar përpara reformën kundër korrupsionit në vend dhe për të forcuar qeverisjen ekonomike.
Shkolla e Magjistraturës nis kursin e ri për legjislacionin mjedisor, zhvilluar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 26 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Arsimi, Mirëqeverisja, Rinia
Më 25 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës zhvilluan një ceremoni të përbashkët për të paraqitur një kurs të ri kushtuar legjislacionit mjedisor dhe mekanizmave detyrues për zbatim në mbrojtjen e mjedisit. Kursi semestral, pjesë e kurrikulës të formimit fillestar për studentët e magjistraturës, fokusohet tek aspektet penale, administrative dhe civile të legjislacionit mjedisor ndërkombëtar dhe vendas. Ai u hartua nga një ekip ekspertësh vendas dhe të huaj i krijuar nga Prezenca e OSBE-së. Në hapje të veprimtarisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha: “Kursi i ri do të fuqizojë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm që të jenë katalizatorë për ndryshime pozitive, duke siguruar që pasuritë natyrore të Shqipërisë të mbrohen dhe ruhen për brezat që do të vijnë”. Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, falënderoi Prezencën e OSBE-së për mbështetjen në hartimin e kursit dhe njoftoi se kursi është miratuar nga bordi i shkollës dhe do të nisë zbatimin gjatë këtij viti akademik. Duke marrë parasysh shqetësimet në rritje për shkelje dhe krime të organizuara ndaj mjedisit, kursi i ri do të mbështesë rritjen e kapaciteteve e prokurorëve dhe magjistratëve të ardhshëm për të trajtuar si duhet rastet mjedisore dhe për të sjellë autorët para drejtësisë. Kursi do t’i pajisë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm me njohuritë dhe mjetet për të adresuar sfidat mjedisore, për të nxitur zbatimin e ligjeve mjedisore dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që kërkojnë drejtësi në çështjet mjedisore. Kjo gjë do të çojë në rritjen e efektivitetit të reagimit të agjencive të zbatimit të ligjit ndaj kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështetë institucionet në përmirësimin e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri. Sigurimi i ekspertizës ndërkombëtare dhe kombëtare për zhvillimin e këtij kursi u mundësua në kuadër të projektit me financim të jashtëm “ Rritja e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore ”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen financiare të Norvegjisë, Francës dhe Italisë.
Prezenca e OSBE-së Shqipëri organizoi Forumin IX vjetor për Zhvillimin e Medias
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi më 18 shtator 2023, edicionin e nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacioni që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e mediave në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai. Në hapje të takimit folën edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasador Luigi Soreca, I ngarkuar me punë ad interim, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i dytë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore që lindin për shkak të përdorimit të zgjeruar të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në media në ditët e sotme. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjet për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e gazetarisë profesionale. Gjatë Forumit u mbajt një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës u shpallën edhe fituesit e konkursit vjetor të Prezencës së OSBE-së për verifikimin e fakteve. Ata janë: Arbjona Çibuku nga Citizens Channel për artikullin e saj "Pylli orbital i Tiranës". Esmeralda Cenollari nga Faktoje.al për shkrimin e saj tërheqës "Bajpasi i Vlorës". Ilda Koçi, po ashtu nga Faktoje.al, për shkrimin e saj mendjemprehtë “Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park, një faturë 40 milionë lekë për parkun që nuk ekziston!”. Konkursi i sivjetshëm u përqendrua në verifikimin e fakteve dhe përdorimin e të dhënave nga burime të hapura, përkrahjen e gazetarisë së bazuar në fakte, si dhe promovimin e përdorimit të të dhënave me burim publik dhe të aftësive solide për mbledhjen e lajmeve.
Shqipëria miraton një Mekanizëm të ri Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit, hartuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Publishing date: 29 qershor 2023
Content type: News
Më 26 qershor, institucionet shtetërore shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) nënshkruan një Marrëveshje të re Bashkëpunimi për Mekanizmin Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR), hartuar falë asistencës teknike të Prezencës së OSBE-së në vitet 2022-2023. Marrëveshja e re, që synon të trajtojë llojet ekzistuese dhe të reja të trafikimit të qenieve njerëzore, përfshin të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar mbrojtjen e duhur për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në Shqipëri. Ajo është fryti i një analize të plotë të vlerësimit të nevojave dhe i konsultimeve me palët e interesuara shtetërore dhe të shoqërisë civile, të kryera nga Prezenca dhe Ministria e Brendshme, me qëllim përditësimin e kuadrit të MKR-së në përputhje me sfidat shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore, kuadrin ligjor dhe me angazhimet e OSBE-së. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton theksoi faktin se, “Për herë të parë në Shqipëri, Marrëveshja e MKR-së përfshin bordin këshillimor të viktimave të trafikimit nëpërmjet strehëzave për viktimat e trafikimit, e bën atë edhe më të dallueshëm dhe në përputhje me qasjen e OSBE-së për të pasur viktimat në qendër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. Pesëmbëdhjetë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe OSHC-ve e nënshkruan Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit për MKR-në. Vlen të theksohet se numri i nënshkruesve është zgjeruar në krahasim me marrëveshjen e mëparshme, duke përfshirë institucione të tilla shtetërore si Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Inspektorati Shtetëror i Punës, Ndihma Juridike Falas, Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe Shërbimi Shtetëror i Punësimit, si dhe OSHC që ofrojnë ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë për viktimat e trafikimit, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve në dispozicion për të rriturit dhe fëmijët viktima të trafikimit. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë t’i ofrojë mbështetje teknike institucioneve shtetërore në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për MKR-në nëpërmjet ofrimit të udhëzimeve dhe trajnimeve specifike.
Prezenca e OSBE-së prezanton Vlerësimin Bazë për Inspektimin, Hetimin dhe Ndëshkimin e Kundërvajtjeve dhe Krimeve Mjedisore në Shqipëri
Publishing date: 26 qershor 2023
Content type: News
Më 26 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seminar prezantues të gjetjeve të Vlerësimit Bazë për Inspektimin, Hetimin dhe Ndëshkimin e Kundërvajtjeve dhe Krimeve Mjedisore në Shqipëri. Vlerësimi bazë rreth qeverisjes mjedisore, i cili merr në konsideratë analizën e kornizës ligjore, kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës teknike, u porosit nga Prezenca dhe realizua gjatë periudhës periudhës tetor 2022 – janar 2023. Vlerësimi u realizua në bashkëpunimin të ngushtë me institucionet kombëtare, duke përfshirë në këtë proces agjencitë ligjzbatuese e menaxhuese, policinë, prokurorinë, shoqërinë civile, median dhe botën akademike. Falë Vlerësimit u identifikuan 26 rekomandime praktike, të cilat do të mbështesin autoritetet kombëtare në hartimin apo rishikimin e politikave, ligjeve, apo kornizës institucionale mjedisore, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të zbatimit të legjislacionit mjedisor, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe luftimit të kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore. Në seminarin prezantues, përfaqësues të institucioneve kombëtare përgjegjëse për inspektimin mjedisor, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale, diskutuan rreth gjetjeve dhe rekomandimet të Vlerësimit, të parashtruara si mundësi për të forcuar qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri. Përveç kësaj, gjatë takimit u hulumtuan hapësirat dhe mjetet e mundshme për adresimin konkret të rekomandimeve dhe masave të identifikuara. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton, theksoi se, “OSBE-ja beson fuqimisht se ky projekt do të mbështesë autoritetet për të adresuar në mënyrë adekuate mangësitë ekzistuese në aspektin e kornizës ligjore, kapaciteteve dhe bashkëpunimit përgjatë zinxhirit institucional që merret me shkeljet mjedisore. Vlerësimi bazë do të shërbejë si një udhëzues për punën tonë të përbashkët për të përmirësuar më tej qeverisjen sigurinë dhe mjedisore”. Zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, nënvizoi rëndësinë e dispozitave të kodit penal për ndëshkimin e duhur të shkeljeve mjedisore. Gjithashtu, Xhembulla theksoi progresin e autoriteteve për sa i përket rishikimit të legjislacionit dhe kapaciteteve të zhvilluara gjatë viteve të fundit duke vlerësuar mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për këtë qëllim. Ndërsa, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Asistencës, Policia e Shtetit dhe Ambasadat e Italisë dhe Francës në Shqipëri, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional si një reagim efikas ndaj shkeljeve mjedisore. Vlerësimi bazë u hartua në kuadrin e një projekti të Prezencës së OSBE-së rreth qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri, të financuar nga qeveritë e Norvegjisë, Francës dhe Italisë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe të mbështesë autoritetet kombëtare për të forcuar qeverisjen mjedisore dhe sigurinë në Shqipëri, duke i adresuar rekomandimet dhe masat e identifikuara përmes vlerësimit bazë. Teksti i plotë i vlerësimit bazë mund të gjendet në seksionin e publikimeve të faqes së internetit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri: https://www.osce.org/sq/presence-in-albania/546518
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Autoriteti Italian Kundër Korrupsionit përfundojnë trajnimin për vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në prokurimet publike
Publishing date: 8 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë ekonomike, Mirëqeverisja
Më 5 dhe 6 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi fazën e fundit të trajnimeve të kurrikulës me disa module mbi vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit në fushën e prokurimin publik. Trajnimet – të organizuara në partneritet me Autoritetin Italian Kundër Korrupsionit (ANAC) – u hartuan dhe u zbatuan në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH). Prej vitit 2021, rreth 50 auditues të KLSH-së morën pjesë ne një sërë sesionesh diskutimi dhe trajnimi. Në morinë e temave të trajtuara ishin identifikimi i rreziqeve të korrupsionit; vlerësimi dhe menaxhimi i riskut në prokurime dhe në kontratat e partneritetit publik-privat; analizat ekonomiko-financiare; monitorimi i kontratave publike e të tjera. Pjesëmarrësit diskutuan raste studimore konkrete të ofruara nga ANAC-u si edhe rekomandime për fuqizimin e mjeteve kundër korrupsionit dhe për rritjen e transparencës. Trajnimet u dhanë audituesve të KLSH-së mundësinë për të shkëmbyer informacion dhe praktikat më të mira me ekspertët e lartë të ANAC-ut, si edhe për të forcuar kapacitetet e tyre profesionale në kryerjen e auditimeve sa më cilësore në prokurimet publike. Trajnimi i fundit dyditor u fokusua te monitorimi i kontratave publike dhe promovimi i mjeteve dixhitale novatore për të përmirësuar auditimin publik. Në fjalën e tyre, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, Drejtorja e Përgjithshme e KLSH-së Mariola Llanaj, Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik Reida Kashta dhe përfaqësuesit e ANAC-ut Paolo Giacomazzo dhe Filippo Romano theksuan rëndësinë e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në fushën e prokurimeve publike.